Shqipëria pjesëmarrëse e asociuar në nismën e “Tri Deteve”/ Begaj: Prania jonë do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj iniciative
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, bëri të ditur sot nga Varshava pranimin e Shqipërisë si vend pjesëmarrës i asociuar në Nismën e Tri Deteve, një platformë strategjike që përfshin vendet e Bashkimit Evropian të vendosura midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut.
Lajmi u dha gjatë Samitit të “Three Seas Initiative” të zhvilluar në Poloni, ku Presidenti Begaj mbajti një fjalë të rëndësishme për rolin e Shqipërisë në këtë nismë.
Duke theksuar rëndësinë gjeopolitike të kësaj pjesëmarrjeje, Presidenti Begaj u shpreh se “prania jonë brenda Iniciativës së Tri Deteve do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj platforme dhe do të shtonte rolin e saj strategjik në çështje të sigurisë, demokracisë dhe bashkëpunimit transatlantik.”
Presidenti nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe në negociata për anëtarësim në BE, sjell një kontribut të rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe ndërlidhjen mes Evropës Juglindore dhe hapësirës euroatlantike.
Ai ritheksoi synimin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 dhe vuri theksin në angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e projekteve infrastrukturore në energji, transport dhe digjitalizim.
Në kuadër të samitit, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një sërë takimesh dypalëshe me liderë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse, duke forcuar më tej pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë në këtë platformë të rëndësishme europiane.