Rikthehet energjia në Bashkinë Gramsh, ndërsa 308 abonentë të tjerë në qarkun e Elbasanit mbeten ende pa furnizim
Situata e furnizimit me energji elektrike në qarkun e Elbasanit po përmirësohet gradualisht, ndërsa ekipet e OSHEE vijojnë punën intensive për rikthimin e energjisë në zonat më të prekura nga moti i keq të ditëve të fundit. Sipas informacionit zyrtar, furnizimi me energji është rikthyer plotësisht në Bashkinë Gramsh, një prej zonave që kishte raportuar defekte të shumta si pasojë e reshjeve dhe erërave të forta.
Megjithë përparimin e bërë, në të gjithë qarkun mbeten ende 308 abonentë pa energji, nga një total prej 119.000 abonentësh që furnizohen nga Rajoni Elbasan. Defektet e mbetura janë të lokalizuara në zona malore dhe me terren të vështirë, ku grupet e avarisë po punojnë me ritme të larta për të normalizuar situatën.
Zonat ende pa energji sipas fidrave dhe kabinave:
Rajoni Elbasan
- Fidri 4 – Nënstacioni Librazhd
Kabina Sopot – pa energji 20 abonentë. - Fidri 3 – Nënstacioni Prrenjas
Kabina Godovush – pa energji 24 abonentë. - Fidri 6 – Nënstacioni Librazhd
Pjesërisht në punë; ende pa furnizim 247 abonentë në zonat:
– Sterblevë
– Studen
– Borovë
– Llenjë
– Zabzun - Fidri 8/2 – Nënstacioni Banjë
Kabina Pompa Pazhok – transformatori i djegur; aktualisht pa energji 17 abonentë.
Pavarësisht sfidave që paraqet terreni malor dhe kushtet e vështira meteorologjike, ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për zëvendësimin e transformatorëve të dëmtuar, riparimin e linjave dhe rikthimin e plotë të energjisë brenda afateve më të shpejta të mundshme.
OSHEE garanton vijimin e punës deri në rikthimin total të furnizimit, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e qarkut.


English
French
German
Italian

