Renditja e FIFA-s, Shqipëria fiton 4 pozicione, Kosova vijon rekordet
Dy fitoret në muajin tetor, kundër Serbisë dhe Jordanisë, pritet të ketë një efekt pozitiv në renditjen e FIFA-s. Këto ishin dy rival me koeficient të lartë, jashtëzakonisht të rëndësishme për kuqezinjtë, për këtë arsye Sylvinho dhe stafi i tij e vlerësuan maksimalisht edhe miqësoren ndaj Jordanisë, pasi pikët e marra dhe renditja e FIFA-s do të jenë përcaktuese në ndarjen e vazove për shortin e “play-off” në kualifikueset e Botërorit.
Sipas përllogaritjeve, Shqipëria pritet të fitojë 4 pozicione në renditjen e radhës të FIFA-s, me kuqezinjtë që do të pozicionohen ne vendin e 62-të. Me këtë renditje, Shqipëria përforcon pozicionin e sajë në vazon e tretë të “play-off”.
Jo vetëm Shqipëria, edhe Kosova pritet të ketë një rritje të ndjeshme në renditjen mujore të FIFA-s. “Dardanët” morën 4 pikë në 2 takimet e fundit, kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda pritet të fitojë 7-të pozicione duke renditur në vendin e 84-ët, një tjetër rekord i ri ky për përfaqësuesen e Kosovës, e cila ashtu si Shqipëria ka shanse të mëdha për të siguruar një biletë në për fazën “play-off” në kualifikueset e Botërorit.