Pamje prej kartoline nga fshati Rovje në Gramsh
Ka shkrime që lindin nga lajmi dhe të tjera që lindin nga ndjenja. Ky është një prej atyre të dytëve. Kur bora e parë mbuloi fshatin tim të lindjes, Rovjen e Gramshit, e ndjeva jo vetëm si gazetar që duhet të raportojë, por si biri i atij vendi që e mban në zemër çdo ditë.
Motivimi im për këtë reportazh është i dyfishtë:
E para, sepse është profesioni im si gazetar ai që më shtyn të përcjell çdo ngjarje me vlerë, çdo bukuri që meriton të shihet.
E dyta, sepse Rovja është vendlindja ime dhe çdo herë që natyra e zbukuron, më lind brenda një detyrim shpirtëror për ta ndarë me të tjerët.
Në Rovje, dimri zbret me ngadalë, por me hijeshi. Bora e parë këtë vit mbuloi pemët që ende mbanin gjelbërimin e fundit të vjeshtës. Një pamje befasuese, ku e bardha e borës përqafon të gjelbrën, duke krijuar një kontrast që zor se e sheh diku tjetër.
Fshati është i vogël, por me një bukuri që të mbetet në mendje – kodra që ngrihen butësisht, shtigje të heshtura që të çojnë drejt malit, dhe ajër i pastër që duket sikur të pastron edhe mendimet.
Është një vend për ata që duan qetësinë, natyrën, dhe kontaktin me tokën, por edhe për ata që duan ta shohin dimrin në versionin më të butë dhe të bukur të tij.
Për vizitorët: rruga për në Rovje ka vështirësi, sidomos në segmentin e fundit prej rreth 7 kilometrash, që kërkon një fuoristradë për t’u përshkuar. Por sapo mbërrin, kupton se çdo kilometër ja ka vlejtur.
Si gazetar, do të vazhdoj të sjell pamje dhe histori nga vende të ndryshme. Por kur kthehem në vendlindje, penën e mbaj më ndryshe më me kujdes, më me mall. Sepse fshati Rovje nuk është thjesht një pikë në hartë është rrënja, është frymëzimi, është shtëpia.
Gazetar / Nga Shkëlzen Henkoja