Greqi/ Kristo Hasa Nderohet Me Titullin “Qytetar Nderi” Nga Bashkia E Amaliadës
Në një ceremoni të zhvilluar në Qendrën Kulturore Multifunksionale të Amaliadës, Bashkia e Elidës nderoi piktorin Kristo Defrim Hasa me titullin “Qytetar Nderi”, duke vlerësuar 33 vitet e tij të shërbimit dhe kontributit të vyer në jetën kulturore të qytetit.
Amfiteatri ishte i mbushur me përfaqësues të autoriteteve lokale, organizatave kulturore dhe qytetarë të lidhur me artistin, të cilët vlerësuan punën e tij të palodhur për komunitetin. Ndër të pranishmit ishte edhe Kryebashkiaku i qytetit të Gramshit në Shqipëri, Besian Ajazi, Nënkryetarja e Bashkisë Pineos, Vanta Kontouli, përfaqësues nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Emigranti”, si dhe figura të tjera të rëndësishme kulturore dhe fetare.
Në një fjalim prekës, Kristo Hasa rrëfeu rrugëtimin e tij, duke nisur nga largimi nga Shqipëria në vitin 1992 dhe kalimi i vështirë katërditor përmes kufirit, deri në vendosjen në Amaliada, të cilën e konsideron sot “atdheun” e tij. Ai falënderoi komunitetin vendas për dashurinë dhe mbështetjen, veçanërisht piktorin e ndjerë Giorgos Fokas dhe edukatoren Evi Palla – Chronopoulou që e ndihmuan në hapat e parë artistikë.
“Kur e sheh tokën nga lart, nuk ka kufij, ngjyra apo fe. Unë përpiqem gjithmonë të ndërtoj ura mes njerëzve,” u shpreh artisti, duke dedikuar titullin nderi bashkëkombësve të tij në Greqi.
Kryetari i Bashkisë Elida, Christos Christodoulopoulos, theksoi se nderimi nuk është vetëm për një artist të madh, por edhe për një njeri që ka kontribuar thellësisht në jetën kulturore të komunitetit. “Ndoshta një ditë Shteti do të njohë thelbin e qytetarisë përtej kufijve të ngushtë të shtetësisë,” shtoi ai.
Kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi, e quajti këtë nderim një fitore jo vetëm për Kristo Hasan, por për gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi, ndërsa kryetarja e Këshillit Bashkiak, Theonis Georgopoulou, vuri në dukje se “nderi i takon vetë Hasës për atë që ka dhënë mbi 30 vite për Amaliadën.”
Pas ceremonisë së ndarjes së titullit, ku Kryebashkiaku i Elidës i dorëzoi Hasan zyrtarisht diplomën, u hap ekspozita retrospektive e piktorit me temë “Art dhe Atdheu”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 8 qershor 2025 në Galerinë Kulturore Multifunksionale të Amaliadës.
Ngjarjes iu bashkuan edhe departamenti i vallëzimit i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë Perëndimore “Emigranti”, me valle tradicionale shqiptare, në një shfaqje prekëse nderi për artistin që përmes artit ka lidhur dy atdhe.
Mbi artistin
Kristo Dëfrim Hasa ka lindur në qytetin e Gramshit më 17 janar 1964. Ai rrjedh nga një familje me prindër punëtorë dhe tetë fëmijë. Dëshirën për artin, dhe veçanërisht për pikturën, e shprehu që në shkollën fillore, ku vizatonte faqet e librave. Mësuesja e vizatimit në atë kohë i sugjeroi babait të tij që ta dërgonte në kursin e pikturës në Shtëpinë e Pionierëve të Gramshit, ku ndoqi këto kurse për disa vite. Me mbarimin e shkollës fillore, fitoi konkursin për të vazhduar studimet në degën e skulpturës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
Pas përfundimit të liceut, për shkak të pamundësive ekonomike për të vazhduar studimet në Institutin e Arteve, u kthye në vendlindje dhe punoi zanate të ndryshme si marangoz, tapicier dhe mekanik. Më vonë u integrua në fushën e kulturës, ku punoi për 12 vite si drejtues kulture dhe propagande në Uzina e Amëve në Gramsh. Atje drejtoi grupet artistike, muzeun, bibliotekën, dhe shërbeu si fotograf dhe dizenjator. Paralelisht, u përfshi edhe në aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës të Gramshit dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte piktor, skenograf dhe valltar me grupin e valleve të qytetit për 9 vite, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike në shkallë rrethi dhe kombëtare.
Në vitin 1992, si shumë shqiptarë, la atdheun e tij të dashur në kërkim të një jete më të mirë. Kaloi malin e Gramozit, i mbuluar nga bora, katër ditë në këmbë, pa ditur gjuhën greke, pa ditur ku po shkonte dhe çfarë e priste, me vetëm pak ushqime dhe shumë ëndrra e shpresë për të ardhmen, si dhe me dashurinë e pafund për vendlindjen.
Filloi punë si marangoz në Amaliadë, zanat që kishte trashëguar nga babai. Paralelisht, merrej edhe me pikturë dhe vizatim në kohën e lirë deri në vitin 2000, kur ra në kontakt me persona të fushës së artit dhe kulturës në atë zonë. Ata i mundësuan hapjen e një ekspozite personale pikture dhe fotografie, ku pati jehonë në mediat lokale dhe kombëtare greke. Kjo ishte një shtysë dhe besim për të ardhmen. Më pas mori pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe u integrua edhe në çështjet e refugjatëve shqiptarë, duke drejtuar për tre vjet Shoqatën e Shqiptarëve në Qarkun Ilia të Peloponezit.
Në vitin 2006, u ftua nga bashkitë e Amaliadës dhe Gastunit të ngrinte dhe drejtonte grupet e pikturës për fëmijë dhe të rritur, punë që e pranoi me shumë dashuri dhe përkushtim. Gjatë këtyre 19 viteve si mësues pikture, ka marrë pesë herë çmimin e parë në rang kombëtar dhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në ekspozita dhe konkurse në Greqi dhe jashtë saj, ku shumë shqiptarë, fëmijë dhe të rritur, kanë qenë pjesëmarrës në këto aktivitete.
Gjatë 20 viteve të veprimtarisë artistike, ka pasur një rrugëtim të pasur me suksese dhe arritje, duke marrë pjesë në shumë ekspozita, galeri dhe takime kombëtare dhe ndërkombëtare, ku shpeshherë ka përfaqësuar Shqipërinë. Është nderuar me shumë tituj, çmime dhe vlerësime për punën dhe kontributin modest në fushën e artit dhe kulturës.
Në Amaliadë ka realizuar dy ekspozita personale dhe 56 kolektive; në Olimpia dhe Athinë mbi 8 ekspozita si anëtar i Grupit të UNESCO-s. Në Qipro, Lefkosia dhe Limasol, si anëtar i grupit ndërkombëtar “Artistë pa Kufij”. Në Turqi ka marrë pjesë katër herë në Stamboll, Çanakkale, Izmir dhe Kapadokya, si anëtar i grupit ndërkombëtar “Miqësia dhe Paqja midis Popujve”. Në Kosovë, Gjilan, mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare “Miqësia dhe Paqja midis Popujve”. Në Firence, Itali, në ekspozitën ndërkombëtare “Popuj dhe Art”, duke ngritur me krenari flamurin tonë kombëtar. Në fund, në Luvër, Paris, Francë, mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare me 1100 artistë nga e gjithë bota, ku prezantoi dy punime, duke realizuar një ëndërr të tij.
Ka realizuar me iniciativën e tij ekspozita pikture në qytetin e tij të vendlindjes Gramsh, me piktura të fëmijëve të vegjël shqiptarë dhe grekë, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Vëllezërit Çetir”. Gjithashtu një tjetër ekspozitë me piktorin e paharruar gramshiot Adem Hoxha. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Ambasadën Greke në Tiranë, Bashkinë Gramsh dhe Bashkinë Amaliadë, ka hapur dy ekspozita pikture ku u nderua nga Bashkia Gramsh me titullin “Nder i Kulturës Gramshiote”.
Është anëtar i rregullt i Shoqatës së Artistëve të Shqipërisë “Pranvera Art” dhe merr pjesë rregullisht në ekspozita kombëtare. Është nderuar me çmim të veçantë nga Ministria e Kulturës së Çekisë për punën e palodhur dhe kontributin në fushën e artit. Është anëtar nderi i Shoqatës “Emigranti” në Patra.
Ka marrë pjesë në shumë aktivitete bamirësie, si individ dhe në grup, duke kontribuar për shkolla, spitale, shoqata shqiptare dhe greke, evente artistike, karnavale, teatro, koncerte, për fëmijët e luftës në Irak dhe Siri, për fëmijët në Bangladeshi, për të dëmtuarit nga zjarri në Greqi, nga shpërthimi në Gërdec, nga tërmeti në Shqipëri, për fëmijët me kancer në Greqi, dhe shumë të tjera.
Me iniciativën e tij është mundësuar vendosja e urave të miqësisë midis popujve. Konkretisht, ka organizuar sjelljen në Gjirokastër të një grupi prej 50 vetësh nga Greqia në bashkëpunim me Bashkinë dhe Konsullatën Greke, me finalizimin e mbjelljes së pemëve të miqësisë. Ka pasur bashkëpunim të frytshëm me Bashkinë Gramsh, Lida Amaliadhën dhe Ambasadën Shqiptare në Athinë, me rastin e hapjes së ekspozitës së tij personale të dytë në Amaliadë.
Në bashkëpunim me Bashkinë dhe Qarkun e Gjilanit arriti të organizojë një ekspozitë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 6 artistëve, ku u vendosën ura miqësie midis popujve në vende të ndryshme historike të Kosovës.
Për gjithë veprimtarinë artistike dhe kontributin e dhënë është nderuar me shumë tituj, çmime, diploma nderi. Është nderuar nga katër bashki të ndryshme në Greqi, si dhe nga Bashkia Gramsh me titullin “Nder i Kulturës Gramshiote”. Ka marrë falënderime nga Ministria e Jashtme e Kinës dhe Ambasadorja kineze në Shqipëri për ekspozitën në Muzeun Historik të Tiranës, nga Ambasadori Rumun në Athinë, nga grupi UNESCO dhe Internacional Art në Greqi, nga Ministri i Jashtëm i Greqisë Janis Zafiropulos (2006), nga Ministria e Turizmit e Greqisë (2015) dhe Ambasadorja Greke në Tiranë, si dhe nga shumë deputetë. Në takimin me Presidentin e Greqisë Prokopi Pavlopulos mori urimet dhe vlerësimet më të sinqerta për kontributin në art dhe kulturë për mirëqenien e komuniteteve tona.
Në vitin 2020 u shpall “Personazh i Vitit” nga gazeta më e vjetër greke “Patris” për kontributin në ndihmën e të dëmtuarve nga tërmeti në Shqipëri dhe debutimin e tij si shkrimtar me romanin “Përtej bardhësisë”.
Në vitin 2021 botoi romanin “Përtej bardhësisë” me shtëpinë botuese “55” në Athinë.
Në vitin 2022 botoi një libër me poezi në greqisht, ku shpreh shqipen dhe bashkëveprimin me gjuhën greke.
Në të gjitha këto vite ai është bërë simbol i forcës, dashurisë për artin, kulturën, dhe unitetin mes popujve, duke ruajtur dhe promovuar me krenari origjinën e tij shqiptare në emigracion.