a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeKryesoreÇelet sezoni turistik në Gramsh: Zbulo thesaret e natyrës shqiptare!

Çelet sezoni turistik në Gramsh: Zbulo thesaret e natyrës shqiptare!

Çelet sezoni turistik në Gramsh: Zbulo thesaret e natyrës shqiptare!

Gramshi çel sezonin turistik 2025 me një festë madhështore, kryebashkiaku Besian Ajazi fton shqiptarët dhe të huajt të zbulojnë zemrën e gjelbër të Shqipërisë

Nga Fatmir Popja

Në një atmosferë të mbushur me gëzim, ngjyra dhe energji pozitive, Bashkia e Gramshit çeli zyrtarisht sezonin turistik 2025 këtë të dielë të parë të Qershorit, duke kthyer qytetin dhe zonat përreth në një skenë të gjallë aktivitetesh kulturore, artistike dhe sportive.
Ceremonia e çeljes së sezonit turistik u zhvillua në Liqenin e Dushkut ,të njohur ndryshe si Liqeni i Zambakëve ,ku u mblodhën qindra vizitorë nga Gramshi, qytete të tjera të Shqipërisë dhe turistë të huaj që vijnë gjithnjë e më shpesh në këtë zonë për të zbuluar thesaret natyrore dhe historike të kësaj zone unike.Kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besian Ajazi, theksoi rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin ekonomik dhe social të bashkisë duke shpallur Gramshin “gati për të mirëpritur turistët me dashuri, korrektësi dhe cilësi”.“Gramshi ofron një pasuri të rrallë natyrore dhe kulturore që mezi pret të zbulohet. Ftoj çdo vizitor që kërkon natyrë të pastër, mikpritje dhe përvoja që nuk harrohen lehtë, të zgjedhë Gramshin këtë verë,” u shpreh Ajazi në fjalën e tij përshëndetëse.
Çelja e sezonit turistik nisi me një paradë festive të fëmijëve të shkollave 9-vjeçare dhe fillore të qytetit, të cilët përfaqësuan me krenari trashëgiminë kulturore të zonës përmes punimeve artizanale, ekspozitave dhe performancave artistike.Festa më pas u zhvendos në Liqenin e Zambakëve, ku peizazhi mahnitës i natyrës u bashkua me muzikën tradicionale dhe moderne, ku ndër artistët më të spikatur ishin Avni Lushka, Luli Qose dhe grupi shumë i dashur për publikun, West Side Family, që krijuan një atmosferë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.Gatimet tradicionale, mikpritja e banorëve dhe fryma familjare u kthyen në elementët që i dhanë një identitet të veçantë kësaj feste.Kryebashkiaku Ajazi prezantoi edhe destinacionet kryesore që e bëjnë Gramshin unik në hartën turistike shqiptare sikurse janë :
• Ujëvara e Sotirës , një mrekulli natyrore që freskon verën.
• Shpella e Kabashit e cilësuar si një nga shpellat ideale për aventurierët dhe eksploruesit.
• Liqeni i Zambakëve i njohur si një oaz qetësie dhe bukurie natyrore.
• Kanioni i Holtës , i cili dhuron spektakël gjeologjik që të lë pa fjalë.
• Kalatë e Ermenjit dhe Tërvolit si dëshmi të lashtësisë së zonës.
• Fshati Grabovë , një perlë e arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore.
• Liqeni i Zi dhe Liqeni i Banjës të cilët shquhen për relaks dhe aktivitete në natyrë gjatë gjithë vitit.Sipas të dhënave të fundit të bashkisë së Gramshit dhe operatorëve turistikë, kjo bashki është vizituar nga mbi 120 mijë turistë gjatë vitit 2024, një shifër kjo që tregon interesin gjithnjë e më të madh për turizmin malor, aventurier dhe kulturor.“Gramshi ka një potencial për turizëm 365 ditë në vit. Nga alpinizmi dhe ecjet në natyrë, deri te historia dhe tradita kulturore .Këtu mund të gjesh gjithçka,” deklaroi Ajazi, duke theksuar edhe sfidat që mbeten, si infrastruktura rrugore dhe akomodimi.
Në përmbyllje, Kryetari i Bashkisë bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, bizneseve dhe komunitetit:
“Çdo turist është një mundësi. Të jemi të gjithë gati të mikpresim me dashuri dhe profesionalizëm. Gramshi nuk është vetëm një vend i mrekullueshëm , ai është një përvojë që të mbetet në zemër.”

Share With:
Rate This Article
No Comments

Leave A Comment