Djali që nuk e braktisi kurrë Lenien: Historia e Arlind Bicit që po ndryshon turizmin në Gramsh
Ndryshe nga shumë të rinj që largohen nga zonat rurale në kërkim të mundësive, Arlind Bici, 26 vjeç, nga fshati Lënie i rrethit të Gramshit, zgjodhi rrugën më të vështirë, por edhe më të bukur: t’i qëndrojë besnik vendlindjes. Pas përfundimit të studimeve për inxhinieri, ai nuk e kërkoi të ardhmen në qytet, por u kthye sërish në mal, aty ku filloi gjithçka për të.
Vetëm 9 kilometra mbi fshat, pranë Liqenit të Zi – një perlë natyrore me ujë kurativ, të njohur prej brezash për trajtimin e reumatizmës gjatë periudhës 15 gusht – 15 shtator – Arlindi ka ngritur me shumë mund një bujtinë të vogël familjare. Sot, qindra vizitorë shkojnë drejt këtij liqeni për shërim, natyrë dhe qetësi, ndërsa bujtina e tij është kthyer në një pikë referimi për zonën.
Shumë e mbajnë mend Arlindin që fëmijë. Vetëm 7 vjeç, ai ndiqte babanë e tij drejt Liqenit të Zi, duke ndihmuar vizitorët me një përkushtim që edhe sot e çudit këdo. Pas 19 vitesh, ai vazhdon çdo fundjavë të ngjitet në mal, të hapë e të pastrojë rrugën, të rregullojë shtigjet dhe të presë njerëzit që kërkojnë shpresë e shërim në zemër të natyrës.
Banorët e thërrasin shpesh “Djali i ujit të ftohtë të Lënies”.
Edhe reshjet e para të dëborës nuk e ndalin Arlindin; shpesh e gjejnë pranë liqenit, aty ku qetësia, mjegulla dhe mali i japin forcë për të vazhduar misionin e tij.
“Këtu u rrita. Shqipëria ka vende të jashtëzakonshme dhe unë nuk dua të largohem kurrë nga mali,” tregon ai për gazetarin Shkelzen Henkoja.
“Edhe si inxhinier, frymëzimin më të madh e marr nga natyra. Ndihem mirë kur i vij në ndihmë njerëzve që vijnë për t’u kuruar.”
Arlindi tregon me emocion se ka parë vizitorë që kanë ardhur gjysmë të paralizuar dhe janë larguar vetë më këmbë pas kurës natyrale në Liqenin e Zi. Këto histori suksesi e shtynë të ndërtonte bujtinën, duke marrë kredi, duke punuar me familjen dhe duke u sakrifikuar çdo ditë, me synimin për të zhvilluar zonën dhe për t’i siguruar familjes një të ardhme më të mirë.
Historia e Arlind Bicit është një shembull i rrallë këmbënguljeje, dashurie për vendlindjen dhe besimi te forca e natyrës.
Një djalë nga Gramshi që i jep jetë malit, traditës dhe shpresës.










English
French
German
Italian

