Kryenin kontrolle fiktive dhe nuk bllokonin mallin me pesticide, kush janë dy inspektorët e AKU-së që bashkëpunonin me Era Fruit
Policia e Beratit ka kryer një operacion me urdhër të Prokurorisë në subjektin Era Fruit në Berat i cili helmoi tregun me domate, kastraveca dhe speca me pesdicide.
Mësohet se në pranga kanë rënë dhe dy inspektorët e AKU-së, R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve.
Në pranga janë vënë:
1. Mariglen Qorri, 40-vjeç, pronar i subjektit “Era fruit” si i dyshuar për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
2. Ronaldo Lika, 27 vjeç, inspektor për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3. Griselda Doksani, 25-vjeç, inspektore për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Njoftimi i plotë:
Berat/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, operacioni “Again”. Prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit Kroat, perime me nivel të lartë preparati “Chlorfenapyr”, si dhe me fatura fiktive blerjeje, vihet në pranga administratori i subjektit.
Në pranga dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive. Sekuestrohen perime të ndryshme të cilat dyshohet të jenë të kontaminuara me sasi preparati. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin “Again”.
Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas, konkretisht:
-M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë;
-R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.


English
French
German
Italian

