Helmimi i fëmijëve në Gramsh, reagon AKU: Kontaminimi i vezëve me salmonelë ka ndodhur brenda ambienteve të kopshtit nga faktorë të tjerë
Komunikim për publikun
Në lidhje me situatën e ndodhur në Kopshtin Nr. 1, në qytetin e Gramshit sqarojmë opinionin publik se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin VEZË konfirmon:
1- Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Gjithashtu, nga komunikimi me Shërbimin Veterinar Rajonal pranë AKU është bërë e ditur se ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm).
2- Mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.
3- Mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp.
Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve në Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).
Vlen të theksohet se nga komunikimi me njësitë e NjKVSh nuk kemi pasur raste të tjerë problematikë me Salmonelë spp, për të cilët jemi në komunikim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Për akses të një komunikimi më të zgjeruar nga ana e AKU lutemi të interesuarit t’i referohen këtij njoftimi në websitin zyrtar të AKU