a
Copyright Mikado Themes 2016
Copyright Channelnewsgramshi.com
HomeAktualitetTragjedia e Gramshit me dy viktima në Holtë, sinjal alarmi i sigurisë së munguar në punë

Tragjedia e Gramshit me dy viktima në Holtë, sinjal alarmi i sigurisë së munguar në punë

Tragjedia e Gramshit me dy viktima në Holtë, sinjal alarmi i sigurisë së munguar në punë

Nga Fatmir Popja

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin këtë të shtunë duke rikthyer në vëmendje një nga problemet më shqetësuese të tregut të punës në Shqipëri,mungesa e standardeve të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Dy të rinj humbën jetën në fshatin Holtë të Njësisë Administrative Poroçan në bashkinë e Gramshit , gjatë punës në një kantier ndërtimi të një hidrocentrali që po ndërtohet nga një kompani private.Sipas të dhënave zyrtare nga policia, viktimat janë Abas Basha, 22 vjeç, dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç. Dyshohet se ata kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu, ndërsa ndodheshin në vendin e punës. Tragjedia ka ndodhur rreth mesditës së kësaj fundjave dhe hetimet paraprake flasin për një aksident të rëndë i cili mund të jetë pasojë e kushteve të papërshtatshme të sigurisë në punë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje si dhe për të dokumentuar ligjërisht shkeljet eventuale të protokolleve të sigurisë.Ngjarje të tilla e nxjerrin në pah mungesën e mbikëqyrjes së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit të sigurisë në punë, veçanërisht në kantieret e kompanive private, ku shpesh mungojnë kontrollet dhe punëtorët përballen me rreziqe të larta pa mbrojtje të duhur.
Familjet e viktimave, por edhe opinioni publik, kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë për këtë tragjedi. A do të mbetet edhe kjo një tjetër numër në statistikat e zeza të aksidenteve fatale në vendin e punës, apo më në fund do të merren masa reale për të mbrojtur jetën e punëtorëve shqiptarë? Gjatë vitit 2025 në Shqipëri kanë ndodhur disa tragjedi të ngjashme me atë në Gramsh, ku punëtorë kanë humbur jetën gjatë punës në kantierë ndërtimi ose në sektorë të tjerë të rrezikshëm.Këto raste, së bashku me tragjedinë e e kësaj fundjave në Gramsh, nxjerrin në pah një problem të thellë të sigurisë në punë në Shqipëri. Pavarësisht masave të marra, mungesa e mbikëqyrjes dhe zbatimit të standardeve të sigurisë vazhdon të jetë një shqetësim i madh. Sipas statistikave zyrtare , vetëm në muajin maj 2024 humbën jetën 6 persona për shkak të kushteve të pasigurta në punë.Në Shqipëri puna për mijëra qytetarë është bërë një betejë për mbijetesë, jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, por edhe për rrezikun real për jetën. Ngjarja e fundit tragjike në fshatin Holtë në Njësinë Administrative Poroçan të Gramshit, ku dy të rinj 22 vjeç dhe 32 vjeç humbën jetën gjatë punës në një kantier ndërtimi të një hidrocentrali është vetëm një episod i radhës në një seri të gjatë aksidentesh të ngjashme.Abas Basha, 22 vjeç dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç, u zunë poshtë nga një masiv dheu ndërsa punonin në kantierin e një kompanie private. Kjo ngjarje rikthen me forcë në vëmendje mungesën alarmante të standardeve të sigurisë në punë në vend, sidomos në sektorët me rrezikshmëri të lartë si ndërtimi, minierat dhe guroret.Gjatë këtij vitit të kaluar në vendin tonë u regjistruan disa aksidente fatale në vendin e punës.Në maj 2024, një punëtor në Shëngjin ra nga kati i nëntë dhe humbi jetën në vend.Në Sarandë, një 62-vjeçar mbeti në gjendje kome pas një rënieje nga lartësia.Në Bulqizë dhe Vlorë, dy punëtorë humbën jetën për shkak të rrëshqitjes së gurëve në minierë dhe në një gurore.Në Tiranë, një 66-vjeçar vdiq pasi ra nga një objekt ndërtimi.Statistikat janë alarmante. Vetëm në muajin maj të vitit 2024, sipas raportimeve mediatike, gjashtë punëtorë humbën jetën për shkak të kushteve të pasigurta në punë.Ekspertët e sigurisë dhe sindikatat e punonjësve e kanë ngritur prej vitesh alarmin: kompanitë private shpesh injorojnë detyrimin për të zbatuar rregullat bazë të mbrojtjes së jetës në vendin e punës. Kaskat mbrojtëse, rripat e sigurisë, mbikëqyrja teknike dhe trajnimi i punëtorëve janë shpesh të inekzistentë. Institucionet shtetërore, nga ana tjetër, duken të pafuqishme për të ushtruar kontroll real dhe për të ndëshkuar shkelësit.Inspektorati Shtetëror i Punës edhe pse në misionin e tij ka garantimin e sigurisë në vendin e punës, përballet me mungesë burimesh njerëzore dhe teknike, çka bën që inspektimet të jenë të rralla dhe shpesh të paplota. Raste të rënda mbyllen pa u zbardhur plotësisht dhe pa vendosur përgjegjësi konkrete.Në shumë raste, viktimat janë të rinj që punojnë përditë në kushte të vështira për të siguruar një të ardhme më të mirë. Tragjeditë si ajo e kësaj fundjave në Holtë të Gramshit tregojnë se ende në Shqipëri, jeta e një punëtori vlen më pak se kostot e zbatimit të standardeve minimale të sigurisë.Në mungesë të një reforme të thellë në fushën e sigurisë në punë dhe të një vullneti të qartë politik për ta trajtuar këtë çështje si prioritet, gjasat janë që ky vit të mos jetë i fundit me humbje jete në kantierët dhe minierat e vendit.

Share With:
Rate This Article
No Comments

Leave A Comment